Македонски: www.civil-mk.blogspot.com
English: www.civil-en.blogspot.com
Thellësisht të brengosur për gjendjen me marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni dhe tensionet të cilët eskaluan ditëve të fundit me rrahjen në Kalanë e Shkupit, Civili – Qendra për Liri u apelon Qeverisë, partive politike dhe shoqërisë civile të ndërmarrin hapa urgjente dhe të vendosura për tejkalimin e kësaj gjendjeje! Apelojmë:
QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË
Kur Qeveria apo institucionet e saj fhehurazi dhe vjedhurazi shkon natën të “punojë ndonjë projekt” dhe funksionarë të lartë dalin nga institucionet dhe “zgjidhin” probleme të cilat nuk janë zgjidhur në kabinetet – diçka, definitivisht, nuk është në rregull.
Qeveria duhet të fillojë ta bëjë punën e vet, e jo ta luajë rolin e një mbikëqyrësi dhe komentatori të pafuqishëm të ngjarjeve. Një pjesë tejet e madhe për përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike qëndron pikërisht në praktikën e kësaj Qeverie. Kjo, sidomos, ka të bëjë me sjelljen dhe realizimin e projekteve të cilët nuk kanë fare lidhje me nevojat dhe realitetin e këtij vendi.
Prandaj:
Ndaloni projektet të cilët nuk e reflektojnë realitetin
Qeveria duhet menjëherë të ndalojë të gjithë projektet e veta për të cilët nuk është ngritur apo nuk ka përfunduar një debat i gjerë publik, gjegjësisht ta shqyrtojë mundësinë për anulimin dhe fshirjen e tyre nga programi. Kjo, sidomos, ka të bëjë me projektet të cilët janë në kundërshtim me karakterin multietnik, multikonfesional dhe multikulturor të vendit.
Nuk mund të pohoni se shumica, e cila ju ka zgjedhur për ta udhëhequr shtetin, ju jep të drejtën t’i realizoni të gjithë projektet që u kanë rënë ndër mend. Pakica e votuesve, e cila nuk ju ka zgjedhur në këtë cikël zgjedhor, gjithashtu duhet të jetojë në këtë vend dhe duhet të konsultohet se me sa përmendore dëshiron të takohet çdo ditë. Sidomos pasi që edhe ata janë taksapagues. Gjendja e mjerë ekonomike në vend, aq më tepër, i solli këta projekte deri në nivelin e absurditetit!
Transparencë
Transparenca duhet përfundimisht të bëhet njëra nga veçoritë më të rëndësishme të planifikimit dhe realizimit të projekteve në vend. Reklamat e shtrenjta, të cilat u mësuam t’i shohim vitet e kaluar, për arritjet e Qeverisë, vështirë se mund të quhen transparencë dhe përgjegjësi.
Nuk ka nevojë për mësime shtesë për transparencë. Mjafton të ndiqen ligjet dhe premtimet e dhëna para publikut të vendit dhe atij ndërkombëtar.
Konsenzus
Duhet të arrihet një konsenzus për projektet të cilët kanë një lidhje madje më të vogël me kulturat, traditat, dëshirat dhe nevojat e të gjitha bashkësive etnike.
Njëkohësisht, është koha që të mbahet llogari edhe për qytetarët të cilët janë të interesuar për jetë, arsim, kulturë dhe zhvillim shpirtëror jashtë normave etnike, fetare dhe tradicionale, gjegjësisht janë të orientuar në mënyrë kosmopolite.
Marrë në përgjithësi, shoqërisë i mungon shpirti kosmopolit. Imponohet lokalizmi, etnocentrizmi, popullizmi dhe dogmatizmi, me një ngjyrë të fuqishme kiçi. Kijeni parasysh botën dhe vlerat dhe arritjet mbarënjerëzore kur i sjellni dhe i realizoni programet tuaja.
PARTIVE POLITIKE
Kërkojmë nga të gjitha partitë politike, pa dallim të pozicionimit të tyre, madhësinë dhe orientimin, që menjëherë të japin deklarata të qarta, me të cilat do t’u bëjnë thirrje anëtarëve të vet për arsye, tolerancë dhe respekt ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut.
Kjo nuk është kohë për grumbullimin e pikëve politike me fjalime nacionalistike. Gjithçka që mund të fitoni janë disa sekonda apo minuta në ditarin televiziv. Këtë mund ta fitoni edhe me qasje pozitive dhe të urtë ndaj ngjarjeve.
Fundja, nuk është e rëndësishme vetëm t’ju mbajnë mend, por me çka do t’ju mbajnë mend.
SEKTORIT CIVIL
Të nderuara kolege dhe kolegë të sektorit civil në Republikën e Maqedonisë: ky nuk është projekt! Kjo është baza e organizatës suaj dhe tonën dhe baza për angazhimin tuaj dhe tonin personal në shoqërinë civile në kuptimin më të gjerë të fjalës. Sot, menjëherë, në të njëjtin çast kur do të arrijë te ju, shpreheni përpjekjen tuaj si organizata dhe si individë.
Përhapeni mesazhin për paqe, tolerancë dhe respektim të të drejtave të njeriut. Fjala pozitive e çdonjërit dhe çdo veprim që çon drejt zgjidhjes së qetë të konflikteve janë të rëndësishme pa masë dhe efektive.
TË GJITHË QYTETARËVE TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË
Mos lejoni t’ju merr përpara obsesioni dhe marrëzia. Kjo gjendje nuk është e favorshme as për ju, e as për gjeneratat që vijnë. Një luftë veç shkaktoi shumë dëm. Edhe një, do të thotë katastrofë për këtë vend. Ajo që figurat politike e thonë, ndonjëherë tingëllon mirë, por, në të shumtën e rasteve është e motivuar nga etja për pushtet dhe popullaritet. Dhe, fitim personal.
Muret janë ngritur lart mbi kokat tona. Ndarja është realiteti ynë. Ndarja e mëtejshme mund të thotë edhe vendosje të kufijve të ri, fizik, mes njerëzve. Të gjithë shumë mirë e dimë se kjo nënkupton luftë dhe gjakderdhje. E, kjo u sjellë të mira vetëm kriminelëve dhe banditëve.
Bëjeni hapin e parë, rrënojini muret të cilët qendrojnë mes jush dhe bashkëqytetarëve tuaj me prejardhje dhe bindje tjetër. Kjo nuk do ta rrezikojë identitetin tuaj, por, përkundrazi, do t’ju pasurojë.
Ndal nacionalizmit dhe urrejtjes fetare!
Për Maqedoni pa ndarje dhe dhunë!
Xhabir M. Deralla
Kryetar i Civilit – Qendër për Liri
No comments:
Post a Comment